Fjalimi i Z. Edmond Leka, Kryetar i Bordit të Drejtoreve në Ceremoninë e 100 Vjetorit të Shkollës Teknike të Tiranës.
Fjalimi i Z. Edmond Leka, Kryetar i Bordit të Drejtoreve në Ceremoninë e 100 Vjetorit të Shkollës Teknike të Tiranës.
Të nderuar Znj. Ministre Kushi e Ibrahimaj,
E nderuar Znj. Ambasadore e Shteteve të Bashkuara të Amerikës,
I nderuar Z. Kryetar i Bashkisë së Tiranës,
Të nderuar deputetë,
Të nderuar studentë të kësaj shkolle nga të gjithë brezat e saj dhe stafi drejtues e mësimor i saj.
Është nder dhe privilegj për mua të flas në këtë event të 100 Vjetorit të Shkollës Teknike të Tiranës në emër të Bordit të Fondacionit “Harry Fultz”. Do të doja të ndalem në 3 momente që lidhen me këtë 100 vjetor në këtë fjalë timen.
Së pari, dua të vë në dukje se nuk është e rastësishme që ky 100 vjetor i Shkollës Teknike të Tiranës koinçidon me 100 vjetorin e marrëdhënieve diplomatike të Shqipërisë me Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Në fakt, SHBA dhe Presidenti Willson jo vetëm që luajtën një rol unik në konsolidimin e pavarësisë së Shqipërisë në Konferencën e Parisit në 1920, por menjëherë pas saj u vendosën marrëdheniet diplomatike me Shqipërinë në 1922, si akt formal që zyrtarizonte këtë njohje.
Ndërkaq, pothuajse njëkohësisht, mbështetën ngritjen e një sistemi arsimor në vend dhe në të njëjtin vit u nxit dhe u mbështet nisma për krijimin e dy shkollave në vend. Shkollën Bujqësore në Golem të Kavajës dhe Shkollën Teknike të Tiranës. Sot në këtë 100 vjetor, mund të themi me plot gojën se mbështetja në fushën e arsimit, ishte një kontribut vizionar e i paçmuar. Ishte masa më efektive për të ndihmuar procesin e shtetformimit të shtetit të pavarur shqiptar.
Në këto 100 vjet më shumë se 25.000 nxënës kanë kaluar në klasat e auditorët e kësaj shkolle e sigurisht janë bërë më të aftë jo vetëm për veten e familjet e tyre, por edhe qytetarë më të mirë të këtij vendi.
Së dyti, në këtë 100 vjetor, do të doja t’u kushtonim respektin e nderimin që meritojnë atyre që me punën e përditshme të tyre kanë dhënë një kontribut të pazëvendësueshëm në edukimin e mijëra nxënësve që përmenda më lart. E kam fjalën për trupën e mrekullueshme të mësuesve të kësaj shkolle në këto 100 vjet. Ju ftoj të më bashkoheni me një duartrokitje në shenjë mirënjohje!
Më duhet të veçoj këtu drejtuesit e këtij institucioni ndër vite, duke filluar me vetë themeluesin e Shkollës Teknike të Tiranës Harry T. Fultz dhe duke vijuar më tej me Gjergj Cancon, Ali Progrin e deri tek Arian Kapedani! Eshtë edhe meritë e angazhimit të tyre personal, nëse kjo shkollë ka arritur të jetë kjo që është sot, ku më shume se 1.000 nxënës ndërtojnë këtu çdo ditë të ardhmen e tyre!
Së treti, do të ndalem tek e ardhmja e Shkollës Teknike të Tiranës në 100 vitet e mëpasme. Vetë shkolla ka patur një moto të sajën që në ditët e para të ekzistencës së saj “IF WE REST, WE RUST” ose “Nëse Ndalemi, Ndryshkemi” dhe ne si bord i fondacionit bashkë me drejtuesit e shkollës kemi punuar me këtë moto, duke ndërtuar apo përmirësuar çdo vit diçka në atë që bëjmë, për të arritur diçka më shumë në vitin që vjen. Por ndërkaq kemi punuar me këtë moto për të hapur dhe një perspektivë të re për Shkollën Teknike të Tiranës në shekullin e ri në të cilin ajo futet.
Më vjen mirë që sot kam mundësinë të ndaj me ju lajmin se Fondacioni “Harry Fultz”, ka arritur një marrëveshje me RIT (Rochester Institute of Technology) për të bashkepunuar në ngritjen e AUTT, American University of Technology Tirana, i cili në bashkëpunim me RIT do të mundësojë dhënien e një Diplome tërësisht të akredituar nga autoritetet në Shtetet e Bashkuara. Ne kemi filluar bashkepunimin konkret me RIT dhe kemi në plan të presim studentët e parë në Tetor 2023.
Unë uroj që Shkolla Teknike e Tiranës të vijojë edhe 100 vitet e ardhshme me moton e saj të bukur, në të mirë të gjithë këtyre djemve e vajzave të mrekullueshme që vijnë çdo vit në dyert e kësaj shkolle!
Ju falenderoj për pjesëmarrjen dhe uroj të kalojmë sa më mirë këtë ditë të shënuar për ne!
EDMOND LEKA
Kryetar i Bordit të Fondacionit “Harry Fultz”