Fjalimi i Drejtorit Ekzekutiv të Institutit “Harry Fultz” Z.Arian Kapedani në ceremoninë e 100 vjetorit te shkollës.
Fjalimi i Drejtorit Ekzekutiv të Institutit “Harry Fultz” Z.Arian Kapedani në ceremoninë e 100 vjetorit te shkollës.
Të nderuara Zonja Ministre.
E nderuara Znj. Ambasadore
I nderuar Z. Kryetar i Bashkisë Tiranë
Të dashur nxënës, mësues, të nderuar prindër dhe të ftuar, miq, ish nxënës të kësaj shkolle dhe ish mësues e drejtues të saj.
Jam tejet i emocionuar dhe njëherësh i privilegjuar që si drejtues prej disa vitesh i këtij institucioni, të kem mundësinë te flas sot për aktivitetin dhe kontributin 100 vjecar të Shkollës Teknike të Tiranës.
Misionarët e parë amerikanë, vullnetarë të Kryqit të Kuq Amerikan kishin mbërritur në Shqipëri pas vitit 1913. Një nga pikat kulmore të angazhimit të tyre për ringritjen e një kombi ishte propozimi për hapjen e një shkolle teknike në dobi të popullit.… Dëshira ishte e madhe, nevoja edhe më e madhe. Krijimi i Shkollës Teknike të Tiranës, lidhet me shumë emra të rëndësishëm, por sipas faktologjisë historike emri më i rëndësishëm është Harry Fultz. Ai u nis më 23 shtator 1922 për të ardhur në një vend të Ballkanit që deri atëherë nuk i kishte dëgjuar as emrin. Pa e menduar se në këtë vend Ai për 11 vjet jo thjesht do të drejtonte një shkollë teknike, por do të bënte një histori, krejt ndryshe, një histori që sot është 100 vjeçare. Per 11 vjet, familje për Harry Fultz u bë shkolla, nxënësit dhe mësuesit. Atdhe i dytë u bë Shqipëria, dhe ideal zhvillimi i arsimit teknik në Shqiperi.
Ndaj me respekt e përulësi iu themi të gjithë atyre etërve themelues amerikane dhe shqipëtare të kësaj shkolle: Ju faleminderit nga zemra, mirënjohje te përjetshme!
Gjate periudhës 1921- 1944 u diplomuan 386 studentë. Veçori kryesore kanë qenë metodat mësimore të avancuara për kohën, krijimi i bibliotekës, klubeve të ndryshme, praktika dhe prodhimi bujqesor, gazeta e shkollës “LABOREMUS”, të cilat janë shprehje institucionale dhe njerëzore se kjo shkollë ishte tashmë në miniature një shëmbëlltyrë e organizimit jo vetëm arsimor modern për kohën por edhe një model për shoqërinë shqiptare.
Gjatë tërë aktivitetit të saj, moto e shkollës ishte të “mësojme duke punuar”. Në vetëm pak vite shoqëria shqiptare do fillonte të prekte kontributin e kësaj shkolle.
Në periudhën 1921-1934 me punën e përbashkët të nxënësve dhe mësuesve u bë i mundur ndërtimi i centralit elektrik që ishte merite historike për kryeqytetin – Tiranën dhe pati ndikim të madh në jetën urbane të saj; më vonë me ndërtimin e fabrikës së akullit. Një peshë jo të vogël pati Shkolla Teknike në fushën e ndërtimit, ku qysh në vitet e para të saj nxënësit e shkollës filluan punën për ndërtimin e oficinës, konviktit dhe ajo që duhet theksuar në 1928 nxënësit dhe inxhinierët e shkollës morën pjesë në ngritjen e ndërtesave të përfaqësisë diplomatike amerikane në Tiranë.
Tashmë nxënësit e saj qenë kudo. Ata ishin pjesëmarrës në luftën antifashiste (130 ish/ nxënës janë dëshmorë të atdheut); Ata, i gjeje kudo ku punohej dhe ndërtohej duke treguar vlerat personale e profesionale. Shume prej tyre (150 vetë) u përndoqën dhe u burgosën nga regjimi komunist; ndërsa 21 të tjerë humbën jetën; por as edhe njeri prej tyre nuk i humbi dhe nuk i poshtëroi vlerat që kishte skalitur në shkollën teknike, emri i të cilës ishte ngulitur në memorien e popullit.
Shkolla Teknike e vazhdoi rrugëtimin e vet me Politeknikumin (1946) një institucion i njohur i edukimit dhe arsimimit teknik. Me drejtues Gjergj Cancon dhe me vonë Ali Progrin, me profesorë dhe inxhinierë shumë të nderuar e respektuar, u arsimuan breza të tërë nxënësish me njohuri teknike bashkëkohore; u përgatitën tekniket e parë. Janë këta teknike e inxhinierë që punuan e drejtuan punimet në ndërmarrjet e ndërtimit, ekspeditat gjeologjike, hidrocentralet, ndërmarrjet mekanike, të mekanikes bujqësore, institutet e projektimit, etj.
Nga viti në vit u rrit numri i nxënësve në shkollë dhe u krijuan degë të reja. Kjo bëri të mundur që këto degë të dalin si shkolla teknike më vehte si: Teknikumi i ndërtimit, i Mekanikës bujqësore, i naftës, i gjeollogji-miniera. Politeknikumi mbeti shkolla mëmë.
Nxënësit dhe inxhinierët e shkollës ndërtuan radiostacionin e Kukësit, më tej televizorët e parë.
Në periudhën 1946-1992 u diplomuan 14,756 nxënës me një staf mësimor 292 vetë.
Nëse të gjithë pranojmë se ky institucion nuk ishte thjeshtë arsimor dhe shkollë profesionale, por njëherësh edhe një vatër e edukimit kombëtar, e emancipimit shoqëror, dhe një qendër promotore e zhvillimit bujqësor dhe industrial të Shqipërisë ndër vite; atëhere me gojën plot kemi të drejtë të themi se kjo shkollë dhe të gjithë njerëzit që kaluan në bankat e saj, mësues dhe nxënës janë pjesë e historisë së vendit, janë kontribues të rëndësishëm të historisë tonë kombëtare.
Më 1992, emri i shkollës ndryshoi duke u quajtur Shkolla Teknike “Harry Fultz”. Po më 16 Korrik 1992, në Uashington DC, u krijua fondacioni shqiptaro-amerikan “Harry Fultz”, me kryetare zonjën Joan Fultz Kontos, e bija e Harry Fultz, fondacion që kishte për qëllim rivendosjen e traditës së shkollës dhe mbështetjen e mëtejshme të saj.
Për arritjen e këtij qëllimi Fondacioni shqiptaro-amerikan “Harry Fultz” ka punuar nga afër me Ambasadorët e Shteteve te Bashkuara në Shqipëri dhe Drejtorët e USAID/Albania, të cilët kanë mbështetur institucionin nëpërmjet programeve të ASHA (American School and Hospital Abrod) si dhe prezencë të tyre në aktivitete të ndryshme të institucionit.
Instituti “Harry Fultz” (Shkolla dhe Kolegji) tashmë është një qendër e madhe e edukimit dhe formimit të përgjithshëm e teknik sipas standarteve bashkëkohore. Shkolla ka 1050 nxënës dhe kolegji i komunitetit 700 studentë.
Në shkollën “Harry Fultz” deri tani janë diplomuar 3500 nxënës. Nga këta 85% kanë përfunduar studimet e larta, pjesa tjetër punojnë si teknikë të mesëm.
Tashmë në shkollë, elektronika, teknologjia dixhitale dhe robotika kanë zënë vend qëndror në praktikën e edukimit STEM (shkencë, teknologji, inxhinieri, matematikë). Nxënësit planifikojnë, përshkruajnë, ndërtojnë dhe testojnë zgjidhjen e problemeve duke përdorur dizenjimin e proceseve robotik dhe programimin. Nëpërmjet klubit të robotikës nxënësit tanë marrin pjesë në konkurse, prezantime, panaire brenda dhe jashtë vendit me projektet e tyre.
Historia jonë 100 vjeçare është sot jo vetëm kujtime dhe kontribute. Ajo është një histori e gjallë aktive dhe e kudotakuar. Nxënësit tanë ndër vite janë rritur dhe janë bërë inxhinierë të zotët, menaxherë, biznesmenë, projektues, njerëz të fushës së kërkimeve teknologjike apo teknikë të mesëm që me duart e tyre të arta kanë ndërtuar historitë personale të suksesit. Rrjeti ynë alumni organization është i gjërë në numër dhe në gjeografi. Anëtarët e tij e kanë shpënë emrin e mirë të kësaj shkollë në shumë vende të botës. Ne krenohemi me ta dhe ata krenohen me shkollën që kanë bërë.
Të nderuar pjesëmarrës!
Jetojmë në një botë që ndryshon, jo me ditë dhe me muaj, por me minuta dhe sekonda. Kush e ndjek këtë ndryshim bëhet pjesë e tij. Kush nuk e ndjek, humbet kohën, shanset dhe vlerat… Këta 100 vite tregojnë se ne kemi qenë në pararojë të ndryshimeve. E tillë do jetë dhe e ardhmja…..
Ju faleminderit të gjithëve!