Back

Gjithçka lidhet me vitin 1921, kur Kryqi i Kuq i të Rinjve Amerikanë themeloi, sipas dëshirës dhe nevojave të vetë shqiptarëve, Shkollën Profesionale Shqiptare, e para dhe e vetmja e llojit të vet për një kohë të gjatë. Ndër vite, ajo do të njihet si Shkolla Teknike e Tiranës.

Kryqi i Kuq i të Rinjve Amerikanë ndërtoi një program model për asistencën teknike, duke synuar ngritjen e një instituti si “Robert College” edhe në Shqipëri.

“Për suksesin e qëllimit të shkollës do të vë në dispozicion gjithçka të vlefshme që kam” shprehej me një pasion të veçantë Xhon Krol, një nga ideatorët e krijimit të shkollës.

Që Shkolla Teknike e Tiranës të bëhej një institut i klasit të parë, drejtimin e saj duhej ta merrte përsipër një person me përvojë, “një njeri entuziast, me gjykim të shëndoshë, personalitet të përkryer dhe iniciator”. Ky do të ishte Harry Trevlin Fultz, asokohe 34 vjeç, profesor i Arteve Mekanike në Universitetin e Çikagos, profesor i mësimeve pasuniversitare në Kolegjin e Arsimit, i diplomuar gjithashtu në shkenca nga instituti i teknologjisë “Armour”.

Tetor 1922: Harry Fultz mbërrin në Tiranë. Ai do ta drejtojë Shkollën Teknike deri në vitin 1933. Talenti si pedagog dhe administrator, optimizmi i pashtershëm, ishin vendimtarë për ekzistencën, gjallërimin dhe rritjen e shkollës. Fultz së bashku me Çarls A. Hollingshed, një ndër anëtarët e parë të personelit mësimor dhe pedagogë e instruktorë të tjerë amerikanë e shqiptarë, me vetëdije të plotë, ju përkushtuan nxënësve dhe çështjes së arsimit në Shqipëri.

Shkolla Teknike u jepte nxënësve njohuri të posaçme teorike dhe praktike me një gamë të gjerë programesh profesionale. Ajo kishte një central elektrik që i jepte dritë qytetit dhe shtypshkronjën e vet. Ajo ndërmerte projekte ndërtimi, zhvillonte veprimtari të shumta sportive e kulturore dhe botonte gazetën e njohur “Laboremus”. Falë programeve cilësore, të diplomuarit e shkollës pranoheshin në universitetet më të njohura të SHBA-së dhe Europës.

Në vitin 1921 u regjistruan 32 nxënës

Në vitet 1932-1933 u regjistruan 500 nxënës; u diplomuan 150 maturantë, shumica të punësuar në organet shtetërore apo sektorë të ndryshëm të ekonomisë së vendit. Kështu, Shkolla Teknike e Tiranës luajti një rol të rëndësishëm në edukimin e të rinjve me ndjenjën e patriotizmit, të disiplinës, dashurisë dhe respektit për punën. “Perpiqu ta bësh Shqipërinë një vend ku ia vlen të jetosh” tha Harry Fultz. Shkolla u shtetëzua ne vitin 1933 si rrjedhojë e influencës së madhe në shoqërinë shqiptare së bashku me shkollat e tjera të huaja në Shqipëri.

Në vitin 1947, shkolla mori emrin “Politeknikumi 7 Nëntori” duke ruajtur profilin e saj teknik. Ajo vazhdoi të përgatisë specialistë në fusha të ndryshme të ekonomisë përmes programeve të lëndëve akademike të gërshetuara me programet e punëve praktike dhe veprimtarive jashtëshkollore. Imazhi pozitiv i Shkollës Teknike Amerikane në Tiranë qe ngulitur thellë në mendjet e njerëzve, pavarësisht përpjekjeve për të diskredituar apo minimizuar rëndësinë e saj. Kjo u reflektua haptazi pas vitit 1990, në kohën e ndryshimeve të mëdha demokratike.

Në vitin 1992, Fondacioni Shqiptaro-Amerikan “Harry Fultz” u themelua në SHBA me kryetare zonjën Johan Fultz Khontos. Qëllimi i këtij fondacioni ishte mbështetja e shkollës për të ecur në gjurmët e traditave të Shkollës Teknike në Tiranë, në të njëjtën rrugë që ndoqi Harry Fultz; formimin e plotë të të rinjve dhe kontributin e tyre në zhvillimin e Shqipërisë moderne.