Ceremonia e diplomimit
Ceremonia e diplomimit është shndërruar në një ngjarje tradicionale, të përvitshme për shkollën tonë, por pas situatave të vështira që kaluam merr një kuptim të veçantë, merr kuptimin e vetë jetës!
237 maturantë janë diplomuar javën e kaluar të ndarë sipas degëve: Elektronikë – IT; Biznes; Automekanikë dhe Gjimnaz i Përgjithshëm. Brezi më i ri i Institutit “Harry Fultz”, kurorëzoi me sukses studimet e shkollës së mesme, por nuk u kurorëzua vetëm puna, lodhja, përkushtimi, edukimi i tyre. Kjo ceremoni, është sfida që JETA i bën çdo vështirësie, edhe kur ato duken si të pakapërcyeshme. Vështirësitë të rrisin, nxjerrin në pah potencialin e vërtetë, të shtyjnë përpara duke mos e humbur kurrë shpresën. Stuhitë të bëjnë më të fortë dhe asnjëherë nuk zgjasin përgjithmonë, prandaj e kthyem mendjen dhe zemrën drejt shpresës dhe dritës. Maturantët tanë janë besimplotë e të gatshëm të vazhdojmë rrugën që nisën në bankat e Fultz-it, me bindjen se për ta zhvilluar më tej shoqërinë tonë demokratike, nevojitet shkollim i thelluar dhe shumë punë. Vetëm kështu do të mund të kontribuojnë si qytetarë dhe si specialistë në zhvillimin dhe përparimin e vazhdueshëm të shoqërisë sonë, për lulëzimin e atdheut tonë të shtrenjtë, për ta bërë Shqipërinë, ashtu siç thoshte Harry Fultz: “Një vend të denjë për të punuar dhe jetuar në të”.
#harryfultz #atraditionofexcellence