Mirëseardhje

Ju përshëndes të gjithëve me respekt dhe mirënjohje!

Nëse sot secili prej nesh kërkon më të mirën për edukimin dhe trajnimin, veçanërisht të fëmijëve tanë, atëherë ne duhet të përballemi me format më të përparuara të shprehjes kulturore e shkencore; na duhet të thellojmë NJOHJEN tonë. Sot, me përdorimin e shpeshtë të fjalës “zgjerim” besoj se para së gjithash na nevojitet një zgjerim i MENDIMIT. Kjo mund të bëhet veçse në një shkollë ku strategjitë mësimore janë bazuar në programe, tekste mësimore e metoda moderne të cilat u shërbejnë më së miri studentëve tanë.

Instituti “Harry Fultz”, përmes qëllimeve dhe pritshmërive akademike, ofron të gjitha mundësitë që ju të bëheni pjesë e një mjedisi akademik: një sistemi të konsoliduar, një gërshetim të përgatitjes akademike dhe teknike, një lidhje e ngushtë e teorisë me praktikën dhe gjithçka tjetër e drejtuar nga një staf i specializuar pedagogjik brenda dhe jashtë vendit, i përkushtuar dhe i gatshëm për një punë krijuese metodologjike bashkëkohore. Në këtë kuptim, përmëndim logjistikën moderne, bibliotekën e pasur, palestrën dhe mjediset shplodhëse, komunikimin miqësor dhe një jetë shoqërore të kulturuar-një kampus të tërë, ku të nxënit dhe kënaqësia formojnë një harmoni të përkryer.