Gazeta e Shkollës Laboremus

“Laboremus” është forumi që përcjell zërin e nxënësve. Ajo është pasqyrimi i bukur dhe i saktë i shpirtit të shkollës. Nëpërmjet shumëllojshmërisë së përmbajtjes, gazeta synon të bëhet një udhëzuese e gjallë, e paçmueshme për çështjet e shkolles. Ajo shtjellon përvojën akademike dhe pedagogjike të shkollës, trajton çështje të ndryshme që u interesojnë nxënësve, informon, argeton…

Pak histori

Numri i parë i revistës doli më 28 nëntor 1924 dhe çdo vit festohej ditëlindja e organit të shkollës. Për lëndën që botoi, “Laboremus” ishte zëri i shkollës, ishte pasqyra më besnike e jetës dhe e veprimtarisë së atij institucioni në të gjitha dukuritë mësimore dhe jashtëmësimore. Përvetësimi me themel i anglishtes, veçanërisht prej nxënësve të klasave të larta, iu dha dorë atyre të shfrytëzonin mjaft literaturë të huaj për të vjelë andej lëndë të pasur enciklopedike.

Punë shumë te vyer bëri revista për të nxitur elementin përparimtar drejt joshjes për ngritjen e industrisë si element themelor në zhvillimin ekonomik të vendit. Për të ndihmuar drejtpërdrejt në formimin e nxënësve, revista u bë një mësimdhënie e ditur dhe pedagoge e urtë. Për të ndihmuar në edukimin e njeriut për një jetë të kulturuar, revista merrej shpesh me paraqitjen, propagandimin dhe analizën e normave qytetare e juridike.

Nën udhëheqjen e mësuesve më të mirë, “Laboremus” u tregua i vëmendshëm ndaj problemeve të mprehta të kohës në Shqipëri, duke u paraqitur si një analist i thellë dhe i guximshëm.

Meritë e madhe e revistës, që lidhet me kultivimin e kulturës kombëtare shqiptare, është edhe nxitja e prirjeve letrare të nxënësve. Aq shumë u nxit krijimtaria letrare e nxënësve, sa që është zor të gjendet ndonjë numër i revistës që të mos ketë vjershë origjinale apo të përkthyer nga dora e nxënësve.

Përfundimisht, për nga larmia e lëndës, volumi saj dhe fryma tejet shqiptare që e përshkonte kurdoherë materialin e botuar, revista u bë një shkollë e dytë e madhe me ndikim të ndjeshëm dhe të qëndrueshëm në formimin e nxënësve. Ndaj ajo u vlerësua dhe u pëlqye shumë prej rinisë dhe madje, edhe më tej, prej të gjithë atyre që e morën në dorë për ta lexuar.

Vlerësimi për “Laboremus” –in, i kaloi kufijtë shtetërorë dhe zëri i tij shkoi përtej oqeanit, deri në SHBA. I botuar pjesërisht edhe anglisht, “Laboremus” shkëmbehej me 72 simotra në SHBA dhe shkonte e pajtuar edhe në 12 shtete të tjera të botës. Kjo shpërndarje dhe kjo njohje kaq e madhe bëri shumë lexues, të cilët ditën të gjejnë vlera të çmuara në faqet e saj. Prandaj arriti të vlerësohej tri herë me çmime të rëndësishme në SHBA. Në marsin e vitit 1929, shoqëria e botimeve të Universitetit Columbia në Njujork i dha “Laboremus”-it çmimin e parë midis 4 lloj çmimesh që shpërndante, duke e caktuar ne vendin e nderit, ndërmjet pesë-gjashtë revistave të dëgjuara shkollore amerikane. Rreth 3 vjet më vonë, “Laboremus” arriti një fitore tjetër të rëndësishme në konkursin e revistave shkollore të përbotëshme të bërë nga “The Columbia Scholastic Press Association”. Në këtë konkurs “Laboremus” fitoi çmimin e parë me 90 pikë, të shoqëruar me medalje, me këtë tekst: “Nuk njohim asnjë revistë shkollore, e cila për nga interesimi i ngjallur, shumëllojshmëria e përmbajtjes dhe për nga pasqyrimi i shpirtit të bukur të shkollës t’ia kalojë “Laboremus”-it, të botuar dhe të shtypur nga djemtë e Shkollës teknike të Tiranës.” Pa u mbushur ende viti nga kjo fitore e dytë, arriti lajmi për ndadhnjimin e tretë të “Laboremus”-it, kur nga shoqëria e përmendur e Njujorkut kishte fituar çmimin “Medalist”, ndër gjashtë revistat shkollore që ishin paraqitur në SHBA.

Për vlerat e saj të padiskutueshme si një shkollë e dytë e dashur dhe e këndshme, revista u bë pjesë e pandarë e jetës shkollore të nxënësve. Në fund do ishte bukur të njiheshim me disa vargje që personaliteti At Shtjefen Gjeçovi i kushtoi revistës, në numrin 6 të saj në vitin 1925.


Nje dite ishe tuj mendue
Nder sy kishe “Laboremus”

Edhe ishe tuj veshtrue
Shka po flet ky “Laboremus”

...

Ne “Laboremus” ti gjen mesime,
Por ne daç punes mprapa me i ra,

Aty gjen edhe parime,
Porse kendoje pa ja da!

Klikoni Këtu për të shkarkuar numrin e fundit të gazetës LABOREMUS