Klubet shkencore – Departamenti i elektronikës

Qëllimi i klubeve është zgjerimi dhe thellimi i njohurive shkencore dhe i aftësimit profesional të nxënësve në fushën e elektronikës, nxitja për punë të pavarur krijuese, shfrytëzimi i literaturës shkencore dhe zhvillimi i aftësive komunikuese. Klubet organizohen me grupe nxënësish të interesuar dhe udhëhiqen nga mësuesit e departamentit sipas profilit të tematikave. Temat përzgjidhen nga fusha e teknologjisë së informacionit, telekomit dhe praktikës mësimore duke marrë parasysh interesat dhe prirjet e nxënësve. Veprimtaria e klubeve mbështetet në një program të mirëdetajuar ku përcaktohen temat studimore, literatura, metoda e studimit, afatet e përfundimit. Puna studimore e nxënësve është e pavarur dhe ndiqet nga departamenti me takime mujore. Studimet janë teorike ose realizohen praktikisht duke shfrytëzuar bazën materiale laboratorike të shkollës, e cila është shumë e pasur. Një sesion shkencor ku nxënësit paraqesin studimet e tyre para auditorit mbyll veprimtarinë vjetore të klubit.


Klubet shkencore -  Departamenti i fizikës


Kërcim së gjati, Projekt Ndërkurrikular (Fizikë - Fiskulturë)

Klubi i fizikës “Einstein or Bohr?“

Klubi i fizikës u jep mundësi nxënësve të praktikojnë gamën e shprehive si: kohën, burimet, përgjegjësinë individuale, aftësitë ndërpersonale, të nxënit përmes përvojës të nevojshme për jetën dhe karrierën e tyre.

Në këtë klub janë realizuar projekte nga nxënësit si:

  • Vrimat e zeza    (Ervin Gjika, Geri Lika)
  • Ndotja akustike (Orest Ahmetbeja)
  • Lagështia e ajrit (Leonid Blloshmi, Arba Skifteri)
  • Radioaktiviteti    (Neziha Kapllani, Jona Harizi)
  • Kërcimi së gjati   (Aulon Kuqi, Lira Loloci, Merilin Ruci) etj.

Duke e konceptuar këtë klub si një modul për ta bërë fizikën sa më tërheqëse, krahas punimit të ushtrimeve nga tezat e olimpiadave të fizikës, realizohen veprimtari me tematika të ndryshme si:

  • Gjuha shqipe, sanskritishtja dhe fizika
  • Leksione nga pedagogë të shkencave të natyrës: Halil Sykja, Fatos Klosi, Pëllumb Berberi..etj
  • Dita e eksperimenteve në shkollë
  • Diskutim filozofik: Determinizmi dhe fizika kuantike
  • Nata e qiellit yjor

Klubi ekologjik

Ky klub synon rritjen e interesit të nxënësve për këto shkenca nëpërmjet trajtimit të temave shkencore dhe zhvillim të eksperimenteve të ndryshme. Në këtë klub sensibilizohen nxënësit për problemet që shoqërojnë  moshën e adoleshencës, shfrytëzohet më shumë lidhja me internetin për eksperimente dhe tema të ndryshme.

Qëllimi kryesor i klubit ekologjik  është të rritë edukimin qytetar ekologjik, në veçanti të bëjë një punë më të madhe në drejtim të edukimit mjedisor, të sigurojë ndërgjegjësimin jo vetëm te anëtarëve te klubit, por edhe të pjesëtarëve të tjerë të komunitetit për gjendjen e mjedisit ku jetojmë dhe më gjerë.

Temat e trajtuara :

  • Sida: frikë apo tabu
  • Patatja dhe osmoza
  • Dendësia e elementëve kimikë
  • Alkoli dhe sjellja
  • Reaksionet e acideve me metalet
  • AJRI: Menaxhimi i tij- Pirja e duhanit, shëndeti publik apo liria personale?.

Disa nga veprimtaritë e zhvilluara nga nxënësit e klubit:

  • Fushatë kundër pirjes së duhanit
  • Anketë per pirjen e duhanit në grupmosha të ndryshme
  • Bisedë për dëmet që shkakton duhani me mjek, prindër, duhanpirës dhe joduhan pirës.
  • AJRI: Ndryshimi i klimës dhe ngrohja globale, si mund të ndihmojmë në ngadalësimin e ngrohjes globale
  • MJEDISI: Administrimi i mbetjeve, riciklimi i letrës.


Klubi i letërsisë

Forcimi i dashurisë për librin në përgjithësi dhe librin artistik në veçanti; kultivimi i shijeve estetike; zhvillimi i prirjeve letrare; inkurajimi i punës krijuese; zgjerimi i horizontit kulturor të nxënësve; nxitja e mendimit të pavarur kritik – këto janë disa nga pikësynimet kryesore të klubit.

Klubi është i hapur për të gjithë nxënësit që kanë interesa të veçanta për letërsinë. Ai mblidhet një herë në javë dhe funksionon mbi bazë e një programi të hartuar nga mësuesit e letërsisë në bashkëpunim me nxënësit. Veprimtaritë kryesore të tij janë: konkurset e talenteve të reja, minisimpoziume me tema të ndryshme, mbasdite letraro-artistike kushtuar personaliteteve të letërsisë, dita e folklorit, takime me njerëz të artit etj.


Klubi i dramës (E RE)

Ky klub synon zgjerimin e interesave shumëkulturore të nxënësve, zbulimin dhe zhvillimin e mëtejshëm të aftësive të tyre interpretative dhe afrimin me skenën, nxitjen e mendimit dhe të veprimit të pavarur krijues.

 


Klubi i biznesit

Klubi i biznesit është ngritur me qëllim që të aktivizojë nxënësit më të mirë të degës së biznesit dhe të gjithë ata që paraqesin interes për t’u aftësuar në zbatimin e njohurive teorike në fushën praktike të biznesit. Puna në klub i aftëson nxënësit të përdorin prirjet e tyre kërkimore, planifikuese, argumentuese për zgjidhjen e problemeve nëpërmjet të menduarit kritik, për t’u dhënë jetë projekteve të ndryshme që zënë fill nga puna në grup.

Puna në klub i ndihmon nxënësit:

  1. Të perfeksionojnë përdorimin e programeve dhe teknologjive bashkëkohore
  2. Të familjarizohen me teorine bazë të ekonomisë
  3. Të demonstrojnë dhe prezantojnë zgjidhjen e detyrës së marrë
  4. Të perfeksionojnë metodën e punës në grup, nëpërmjet komunikimit dhe bashkëpunimit për interpretimin e saktë të treguesve ekonomikë dhe marrjen e vendimeve

Klubi funksionon 2 herë në javë, ditën e martë dhe të enjte. Ai aplikon të nxënit nëpërmjet studimeve reale, konkurseve apo prezantimeve me projekte. Klubi përfshin: punën në grup, punën në role, bashkëpunimin në ekip, përdorimin e aftësive kërkimore, planifikimin dhe formulimin e shprehive të nevojshme për jetën dhe karrierën, interpretimin dhe demonstrimin dinjitoz si dhe vlerësimin sipas kritereve të vendosura nga vetë nxënësit.

 

Klubet e debatit

Prej shume vitesh në shkollën tonë funksionon si një nga klubet më të frekuentuara dhe të dashura për nxënësit klubi i debatit. Në të aktivizohen nxënës të interesuar dhe me prirje të spikatura për të analizuar, diskutuar dhe debatuar për tema të ndryshme me karakter shoqëror, filozofik, psikologjik, politik etj. Klubi  funksionon në bashkëveprim me organizatën kombëtare të debatit. Ai ka marre pjesë në shume veprimtari që janë zhvilluar brenda shkollës, qytetit të Tiranës, në rang kombëtar e ndërkombëtar. Në të gjitha këto aktivitete nxënësit tanë janë dalluar për nivelin e lartë të përgatitjes dhe shumë herë kanë zëne vende të para.